Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Klos-Turizëm

Liqenet e Balgjajt – një ditë në parajsë

Balgjaj është mal me lartësi 2101 m dhe ndan bazenin e Drinit në lindje me atë të Matit në perëndim. Balgjaj është pjesë e vargmalit Lurë-Dejë-Balgjaj-Martanesh me shtrirje nga veriu drejt jugut. Balgjaj ndërtohet prej shkëmbinjsh ultrabazikë që formojnë një masiv të stërmadh dhe që fillon në Lurë e përfundon në Martanesh.

Proçeset akullnajore e kanë përpunuar kurrizin e tij dhe kanë formuar cirqe, lugje e kreshta akullnajore, në të cilat gjenden rreth 15 liqene akullnajore. Vetëm në pjesën perëndimore të tij që i përket bashkisë Klos, gjenden 9 liqene. Nga ana lindore gjenden liqenet e Kasnisë (Dibër) dhe të Bulqizës. Në total, Balgjaj ka 21 liqene, pjesa më e madhe e të cilëve mbajnë ujë gjatë gjithë vitit.

I gjithë vargmali nga Lura në Martanesh përbën masivin malor me numrin më të madh të liqeneve akullnajore në vendin tonë (këtu gjenden rreth 2/3 e gjithë liqeneve akullnajore që kemi). Liqenet e Balgjajt nga ana perëndimore (pjesa e bashkisë Klos) mbajne emra të ndryshëm si; Liqeni i zi, liqeni i luleve, liqeni i zotnive, liqeni i dhive etj.

Liqenet akullnajore gjenden në lartësinë 1800 metra mbi nivelin e detit, fare afër majës së malit. Liqenet e fotografuara këtu gjenden mbi fshatin Kurdari dhe për ti vizituar ato ndiqet rruga Burrel (ose Klos) – Kurdari – liqenet e Balgjajt. Përveç peizazhit do gjeni edhe gatime tradicionale super të shijshme. Si një ndër pasuritë e rralla të këtoj lloji, liqenet duhen menaxhuar në mënyrën e duhur, me plane mbrojtje e masa zhvilluese.

Ura e Vashës, gjurmë historie e legjendë

Në Bashkinë Klos gjendet kryevepra njerëzore e shek. XVIII, Ura e Vashës, e stolisur me kalldrëm dhe që varet mbi lumin Mat me një hark gjysëm rrethor. Ura e Vashës ndodhet mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë që shoqërohet nga një shpat malor.

Metoda e ndërtimit të urës është me gurë e llaç gëlqeror dhe ka hark në krahun e djathtë dhe një dritare shkarkuese. Gjatësia e urës është 11m, lartësia e saj nga sipërfaqja e ujit është 7m, gjerësia 2.8 m dhe largësia mes dy këmbëve është 7m. Ura vizitohet nga shumë turistë shqiptare e të huaj dhe është një nga pasurit e trashëguara të kësaj treve e ndërtuar si vepër bamirësie nga familja, Skura.

E ndodhur pranë rrugës së Arbërit, kjo urë mbart vlera të mëdha historike në nje peisazh të mrekullueshëm natyror. Ura e Vashës është një ndër urat më të vjetra, të këtij stili të ndërtuar në Shqipëri.

Gurrat e Gurit të Bardhë në Klos, madhështia e peisazhit malor

Bashkia Klos fton turistët vendas dhe të huaj të vizitojnë Gurrat e Gurit të Bardhë, një destinacion i preferuar turistik që ofron pamje madhështore. Gurrat e Gurit të Bardhë janë nga më të bukura që ka zona, për ujin, ngjyrat e natyrës që kompozohen bukur në peizazhin malor të Klosit. Në fshatin Guri i Bardhë ndodhet vendi i quajtur “Gurrat”, aty ku uji është simbol i këtij vendi. Guri i Bardh është i klasifikuar në 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë dhe përbën një vend që ia vlen për t’u vizituar.

Në këtë fshat ndodhet Kalaja e Petralbës e cila gjendet poshtë në pjesën e poshtme të fshatit Guri i Bardhë dhe përmbi fshatin Fshat, ku madhështisë së të shkuarës i bashkohen kullat që janë një pasuri e madhe e trashëgimisë së Klosit. Fshati Gur i Bardh është në juglindje të bashkisë Klos dhe kufiri ndarës me bashkinë Tiranë. Guri i Bardh ndodh 9 km nga Klosi, dhe rruga ofron pamje malore fantastike, një ballkon ku sheh përreth male, bimësi të harlisur, kulla të bardha, traditë mikpritjeje, një vend që çdo turist do ta ëndërronte.